OPEN AKTE

Transparenca është vetëm hapi i parë kundër korrupsionit.

ÇFARË?

Open Akte është një nismë e ushtrimit në praktikë të të drejtës kushtetuese për informim. Synimi jonë parësor është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve publike në proceset politikë-bërëse. Për të arritur këtë, ne kemi marrë përsipër të kontribuojmë në informimin dhe edukimin ligjor të qytetarëve. 

Nëpërmjet kësaj nisme, ju keni mundësinë të shfletoni relacionet shpjeguese të Vendimeve të Këshillit të Ministrave. Aksesi në informacionin e ofruar i shërben formimit të pikëpamjeve objektive mbi gjendjen e shtetit dhe të shoqërisë.

PSE?

Këshilli i Ministrave është organi kryesor politikë-bërës në Shqipëri. Aktet normative të Këshillit të Ministrave përbëjnë grupin më të madh të instrumenteve juridike që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve dhe të qytetarëve. Megjithatë, me përjashtim të një kategorie të ngushtë të akteve që i nënshtrohen konsultimit publik, procesi i hartimit dhe bashkërendimit të tyre nga Këshilli i Ministrave është një cikël i mbyllur ku qytetari nuk ka akses të drejtpërdrejtë. 

Relacionet shpjeguese të akteve normative të Këshillit të Ministrave i pasqyrojnë këto procese dhe janë një burim zyrtar informacioni mbi çështje me interes për qytetarin, si: (1) terminologjia dhe metodologjia e zbatimit të aktit; (2) qëllimi dhe objektivat e tij; (3) përputhshmëria dhe harmonizimi me legjislacionin në fuqi, programin politik dhe instrumentet strategjike; (4) përputhshmëria me kuadrin e detyrueshëm normativ ndërkombëtar, si edhe me atë të BE-së; (5) analiza e përparësive, problematikave, impaktit dhe kostos financiare; (6) propozuesit dhe kontribuesit; si edhe (7) vërejtjet dhe sugjerimet e institucioneve dhe shpjegimet për implementimin e tyre.

SI?

Open Akte është konceptuar si një databazë në format miqësor me përdoruesin. Në të pasqyrohen aktet normative të Këshillit të Ministrave dhe relacionet përkatëse të tyre, të vëna në dispozicion në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit. Aktet janë të kategorizuara sipas institucionit propozues. Duke përzgjedhur institucionin propozues, shfaqet lista përkatëse, ku aktet renditen në mënyrë kronologjike nga më i fundit tek më i hershmi.

Databaza përmban numrin, vitin e miratimit dhe emërtimin e aktit. Në krah të secilit akt janë vendosur dy butona me emërtimet "Lexo aktin" dhe "Lexo relacionin". I pari e drejton përdoruesin për njohje me aktin normativ të publikuar në faqen elektronike të Qendrës së Botimeve Zyrtare. Ndërsa i dyti e drejton atë për njohje me relacionin e aktit.

Publikime të Reja

Lista e përditësuar e akteve normative, të miratuara nga Këshilli i Ministrave gjatë vitit 2023, me propozim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me relacionet shpjeguese të secilit akt, është tashmë online në Open Akte.

04.12.2023

#openakte

#evropa #punëtejashtme

TREGUES

494

Relacione të publikuara

15

Institucione propozuese

120

Kërkesa për informacion

LinkedIn
Email

Open Akte synon të ofrojë informacion të saktë dhe cilësor. Nëse gjatë përdorimit të faqes konstatoni pasaktësi të çdo natyre, ju lutem të na kontaktoni në adresën: 

info@o-akte.com